Sqarim për punimet në Shtegun e Arinjve në Gërmi

Masivi malor i Gollakut është një nga resurset më të pasura turistike dhe etno-grafike të Kosovës; fatkeqësisht deri më tani është anashkaluar si nga niveli qendror ashtu edhe nga shumica e organizatave dhe fondacioneve të cilat veprojnë në fushën e turizmit

Shtrirja e Gollakut përfshinë 6 komuna të Kosovës dhe disa zona të Serbisë (Medvegja)

Mali i Gërmisë është njëri nga shumë sektorët e Zonës Turistike të Gollakut (veri-lindje e Prishtinës)

Gërmia është një nga 3 portat e Prishtinës për hyrje të natyrshme në Zonën Turistike të Gollakut

Ndërlidhja e Gërmisë (me standardin 1 të shtegut) me Liqenin dhe Novosellën (Arinjtë) është e domosdoshme, për shumë arsye

Në Malin e Gërmisë janë të identifikuara dhe të matura rreth 90 km shtigje (tre kategori shtigjesh)

Brenda zonës së mbrojtur gjenden rreth 60 km shtigje

Në Gërmi hyjnë brenda vitit rreth 250 000 vetura dhe më shumë 500.000 vizitorë

Një nga synimet është krijimi i mundësive që të nxitet lëvizja (ecja/çiklizmi) edhe jashtë zonës qendrore të parkut; pra zgjerimi i zonës rekreative të qytetit

Kjo do të shkarkonte sadopak pjesën qendrore të Parkut, duke e rritur praninë e ecësve edhe në zonën perëndimore dhe te Liqeni ku mundësia e ruajtjes nga prerjet dhe mbeturinat do të jetë më e madhe

Në planin afatmesëm do të vihet në qarkullim një linjë urbane Prishtinë-Strehimorja e Arinjve; kjo e rritë/nxitë përdorimin e shtegut dhe zgjerimin e zonës rekreative

Shtegu i Arinjve është shteg ekzistues i cili e lidh Gërminë me arealin e Liqenit, Graqanicës, Janjevës dhe para lagjet veri lindore të Prishtinës

Ky shteg është ecur shumë pak për shkak të mungesës së informacionit; për shkak se ka qenë pothuajse i mbyllur nga shkurret; ndërsa traseja ka qenë e papërshtatshme për ecje dhe çiklizëm normal

Shtegu i Arinjve është pjesë e Rrjetit Primar të Gërmisë, pra duhet ti ketë parametrat e duhur për ecje dhe çiklizëm të sigurt dhe brenda standardeve të kategorisë 1 (gjerësi 1.8 – 2 m / hapësirë të pastër nga shkurret deri në lartësi 2.5 m), pra pa gropa, me drenazhim natyror dhe i pastër nga degët të cilat e pengojnë një çiklist/ecës

Gjatësia e shtegut është 5.3 km, nga të cilat një km është livadh

Ndërhyrje në rrafshim të trasesë dhe deforestim është bërë në 50% të shtegut

Qarkullimi i motorrave dhe makinave në shteg është i ndaluar; madje do të ketë edhe pengesa fizike dhe roje të parkut. Të vetmet mjete që kanë të drejtë të lëvizin janë mjetet e Hortikulturës

Destinimi i shtegut është i qartë; ecësit e të gjitha kategorive (duke përfshirë edhe personat e moshuar dhe fëmijët), çiklistët, natyralistët dhe adhuruesit e natyrës të të gjitha profileve

Shtegu shërben edhe për krijimin e pakove turistike nga punonjësit e turizmit

Starti i shtegut lidhet me unazën qendrore dhe atë të jashtme të Gërmisë dhe ka parking në të dy skajet

Para fillimit të punimeve është analizuar çdo detaj (duke përfshirë edhe cilësinë e ujit të burimeve) dhe janë kërkuar (marrë) lejet përkatëse nga: Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Parqeve, Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës; ndërsa puna është bërë dhe mbikëqyrur nga Hortikultura

Në planin afatmesëm do të krijohet edhe shtegu i rezervuar për çiklizmin downhill (shteg ky ekzistues). Komuniteti i çiklizmit e ka identifikuar dhe studiuar këtë segment, prandaj në pranverë do të fillojë përshtatja e tij për destinimin në fjalë

Punimet në Shtegun e Arinjve janë duke vijuar deri në arritjen e standardit të duhur, prandaj deri në përfundim të punës do të ketë segmente ku ende punohet

Vëmendje: Këshillat dhe sugjerimet mund të na hyjnë në punë, por le të jenë nga subjekte dhe komunitete të organizuara të cilat kanë prova për njohuri të këtij regjioni, dhe më e rëndësishmja, prova për punën e tyre në komunitet

Klubi Alpin Prishtina

LEAVE COMMENT