"Udhëtimi i një mijë milje fillon me një hap të vetëm"
Lao Tzu *

Vështrim mbi ecjen malore dhe shtegtimin

Dallimet në mes ecjes dhe shtegtimit

Si maten parametrat e shtigjeve për ecje

Nivelet e ecjes dhe shtegtimit (SAC)

Rreziqet e mundshme në ecje dhe shtegtim

Është sektor i veçantë brenda strukturës së Klubit Alpin Prishtina dhe si i tillë funksionon brenda Plan-Programit dhe kërkesave të veçanta për aktivitete specifike. Në këtë sektor janë aktive katër lloj aktivitetesh të organizuara sipas specifikave dhe preferencave të anëtarëve Ecjet njëditore- hiking; Ecjet shumëditore-trekking;  Family hike & Camp; si dhe Hike & Team Building  Activities .


Foto: Isa Kelmendi - Shkrel

Për secilën kategori ekziston programi i aprovuar nga Bordi Punues i Klubit dhe si i tillë realizohet në koordinim me udhëheqësin e sektorit dhe me vet kushtet dhe rrethanat e paraqitura gjatë implementimit (moti, kërkesa specifike, fushatat, etj). Në esencë hikingu dhe bjeshkataria janë aktivitetet më të dashura dhe më me shumë pjesëmarrje gjatë vitit.

Vështrim mbi ecjen malore dhe shtegtimin

Sa i përket historisë së këtyre aktiviteteve, nuk ekziston ndonjë datë e saktë por rreth viteve 1980, në Alpet Zvicerane janë gjetur mbetjet e ''Otzit''  Njeriu i Akullit, e që mendohet të jetë ngjitur Alpeve 5000 vite më parë, për arsye të panjohura. Sidoqoftë, ecja e parë e dokumentuar që është kategorizuar në këtë aktivitet është ecja/ngjitja e Perandorit Romak, Hadrianit në Malin Etna. Kjo rrugë është ende aktive dhe është e njohur në Sicili, për arsye se, përveç tjerash, Mali Etna është vullkan aktiv.

Në shekullin e trembëdhjetë ka shumë ekspedita të evidentuara si ngjitje dhe ecje malore në mbarë botën. Në mes viteve 1400 dhe 1500 janë evidentuar ekspedita të karaktereve religjioze, duke filluar nga Perandoria e Inkasve. Besohet se grupe indigjenësh janë ngjitur Andeve, madje janë gjetur fakte arkeologjike që e dëshmojnë ngjitjen në Majën Llullaillaco e cila është e lartë  6,379 m. Alpinistë dhe arkeologë të ndryshëm besojnë se Inkasit janë ngjitur edhe në Akonkagua, maja më e lartë e Andeve. Një pretendim interesant është edhe ngjitja e Leonardo Da Vinqit në Shpatin e Borës në Malin Rosa të Italisë.


Foto: Blerdi Malushi - Badovci

Nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të ecjes rekreative ishte ngjitja e Darby Field  në Majën Washington të  New Hampshire. Kjo ishte në shekullin e shtatëmbëdhjetë kur u regjistrua edhe ngjitja në Malin Titus, në vitin 1744. Pas këtyre viteve pasoi lista e gjatë e ekspeditave që lanë gjurmë në histori, duke përfshirë pushtimin e Elbrusit në Evropë 1882; Alpet Jugore të Zelandës 1882; Akonkagua në Ande 1897; Grand Teton i Maleve Shkëmbore të Amerikës Veriore 1898; Mali Mc Kinley 1913, etj.

Shekulli i nëntëmbëdhjetë shënon kulmin e ekspeditave më të njohura në histori, duke përfshirë edhe pushtimin e Mount Everest në Azi, 29 Maj 1953 nga Sir Edmund Hillary dhe Tenzing Norgay. Këto ishin kohët kur ekspedita nga Evropa Perëndimore dhe Amerika Veriore filluan ti eksplorojnë Himalajet, ekspedita që u bënë të mundura falë ndihmës së madhe të guidave dhe ndihmësve vendorë Sherpa.

Dallimet në mes Ecjes (Hiking) dhe Shtegëtimit (Trekking)

Shtegëtimi/Trekking 

Trekk është aktivitet shumëditor i ecjes dhe ka karakter avanturistik, pra shpesh hyjnë pajisjet e kampit në këtë lloj aktiviteti. Këto ecje zhvillohen në vende ku nuk ka transport apo shërbime tjera. Si kategori e ecjes, nuk lidhet me shtigje të shënuara, por kjo nuk është karakteristikë absolute. Trekking nuk duhet të ngatërrohet me Bjeshkatarinë. Fjala Trek ka  origjinë Jug-Afrikane Trekken, që do të thotë ''zgjatje e udhëtimit''. Si aktivitet është impenjues fizikisht dhe kërkon organizim më të madh se sa ecja rekreative ditore. Grupet që merren me treking janë grupe më të vogla dhe shpesh bartin pesha të konsiderueshme në çantat e shpinës. Sidoqoftë, kjo mënyrë e ecjes është mjaft atraktive sepse mundëson vizitën e shumë vendeve brenda disa ditësh; gjithashtu, në këtë kategori mund të hyjnë edhe kampingu, orientimi, river treking, etj.

Shtigje që konsiderohen Trekking janë: Transversalja e Sharrit, Via Dinarica, El Kamino, Apalachian , etj.

Pajisjet

Hiking: Varet nga terreni dhe kushtet klimaterike. Lista esenciale e pajisjeve të hikingut

Trekking: Pakoja e mbijetesës, pajisjet e kampimit, këpucë të thella, harta-kompasi, etj.

Përshkrimi

Hiking: Aktivitet i ecjes rekreative në natyrë të bukur, në shtigje të markuara.

Trekking: Ecje-Udhëtim i gjatë në shtigje të pamarkuara, për ditë të tëra. Mund të jetë sfiduese.

Popullarizimi

Hiking:  Është i popullarizuar në Evropë, Zelandë, Kili, Kosta Rika, Havai dhe Amerikën Veriore.

Trekking: Është i popullarizuar në Himalaje (Nepal, Indi, Butan); Ande, si dhe në Mekë.

Pasojat në Ambient

Hiking  Qarkullimi i madh lë pasoja në shteg si; degradim në vegjetacion, vatra zjarresh, materie fekale, materiale të jo të bio degradueshme, grafite, etj.

Trekking:  Meqenëse është rrugë e gjatë dhe njerëzit kanë më shumë pajisje, ndikimi mund të jetë më i madh.

Lokacionet

Hiking: Në ambiente të bukura natyrore, shtigje natyrore, kodra, burime, lugina, etj.

Trekking: Në regjione ku nuk ka transport dhe ku ka bukuri të mëdha natyrore. Zakonisht në terren bjeshkatar.

Diferencat në Botë

Hiking: Tramping në Zelandë; Bush-Walking në Australi; etj.

Trekking: Backpacking në Amerikën Veriore, por nuk duhet të ngatërrohet me bjeshkatari.


Foto: Albert Krasniqi - Gërmia

Si maten parametrat e shtigjeve për ecje

Vëmendje; për shkak të ngjashmërive, përshtatshmërisë dhe popullaritetit, Klubi Alpin Prishtina mbështetet në sistemin e gradacionit të Klubit Alpin Zviceran (SAC)

Shtigjet e ecjeve malore dhe bjeshkatare kategorizohen sipas disa parametrave bazik, e që përdoren nga të gjitha sistemet e vlerësimit. Në botë ka shumë sisteme vlerësimi (Francez, Anglez, UIAA, USA, etj), por sistemi i mëposhtëm ka të bëjë me vlerësimin e vështirësisë për shtigjet të ecjes , e që nuk kategorizohen në Bjeshkatari dhe Alpinizëm.  Këta parametra përdoren në shumicën e vendeve evropiane dhe si të tillë i përshtaten edhe vendit tonë.

Parametrat bazik të vlerësimit janë:

1.Të dhënat e përgjithshme

Nënkupton të dhënat si pikënisja, thyeshmëria e terrenit, karakteristikat e shtegut, ekspozimi gjeografik, markimi i rrugës, siguria, pajisjet, furnizimi, etj.

2. Qëndrueshmëria (ngjitja)

Nënkupton ngarkesën fizike, qëndrueshmërinë. Parimisht ndikohet nga diferenca në lartësi (disniveli) por jo gjithnjë (edhe distanca mund të përfaqësojë qëndrueshmërinë në ngjitje/zbritje).

3. Forca

Nënkupton mundësitë fizike për tu përballur me detajet e vështira të shtegut. Kjo varet nga sasia e vështirësive, psh disa rrugë kanë vështirësi teknike ku duhet të përdoren edhe duart, disa kanë via ferrata, litarë të sigurisë.. që do të thotë se të kursen nga përdorimi i forcës. Pra, mund të jetë e lehtë, e vështirë, shumë e vështirë, etj.

4. Karakteristikat Psikike  n
ënkupton faktin se sa është i ekspozuar shtegu, sa kërkohet tolerancë në përdorimin e pajisjeve, dhe sa është e rrezikshme me të vërtetë; nëse duhet lidhja me litar dhe sa është efektive.

5. Orientimi Nënkupton se sa është e vështirë të orientoheni në shteg. Psh 1 është kohë e mirë dhe me shikueshmëri të mirë, ndërsa 5 është mjegull ose natë.

Tabela e vlerësimit sipas parametrave të Klubit Alpin Zviceran përshtatet sipas këtyre parametrave, mund të merret si standard të cilit mund ti referohemi në përshkrimet tona. Edhe anëtarët tanë duhet ti referohen kësaj tabele, për ta vlerësuar vështirësinë e rrugës në të cilën do të marrin pjesë.

Nivelet e ecjes dhe shtegtimit  (SAC)

Sipas SAC ecja ose hikingu ndahet në gjashtë nivele të ndryshme dhe çdo nivel është i mbështetir në parametrat dhe karakteristikat e shtegut, duke ua mundësuar ecësve që ta gjejnë vetën në nivelin e caktuar të ecjes, sipas preferences dhe përgatitjes së tyre.

Shtigjet ndahen nga T1 në T6; psh T1 paraqet shteg të shënuar, të ecur rregullisht, pa rreziqe dhe lehtë të qasshëm (psh shtegu i Gërmisë); ndërsa T4 paraqet shteg alpin ku duhet të keni këpucë malore dhe mund tu duhen edhe duart për të lëvizur nëpër segmente të shtegut (psh Luboteni gjatë dimrit).


Foto: Nazmi Hasanramaj - Via Dinarica

Rreziqet e mundshme në ecje dhe shtegtim

Siguria e pjesëmarrësve të aksioneve tona, në cilindo nivel qofshin ato, është çështje shumë e rëndësishme dhe kërkon angazhim të shtuar nga stafi ynë.

Janë disa parametra të cilët duhet të plotësohen, apo thënë më ndryshe, duhet të merren parasysh nga të gjithë ata që duan, apo janë duke u marrë me këto aktivitete.

Para së gjithash, parapërgatitja për ecje është esenciale, dhe përfshinë trajnime të lehta gjatë ecjes, apo trajnime të veçanta, e që zhvillohen nga stafi ynë.  Janë disa faktorë që duhet të merren parasysh:

Rreziqet dhe situatat e pakëndshme që mund të ndodhin gjatë ecjeve në natyrë, janë:

  1. Lëndimi i këmbëve nga këpucët e papërshtatshme

Paramasat: bëni kujdes gjatë blerjes së këpucëve për ecje malore, bjeshkatare apo alpine. Duhet të jenë origjinale dhe ti përshtaten stinës dhe terrenit të caktuar. Para se të dilni në terren bëni ecje në qytet, në punë apo në ecje të lehta malore, në mënyrë që këmba të përshtatet me formatin e këpucës. Rëndësi kanë çorapët e prodhuara enkas për ecje në natyrë; gjejini sepse ua lehtësojnë shumë ecjen dhe ua mbrojnë këmbët. Madje ekzistojnë edhe çorapë anti bakteriale. Në kthim, para hyrjes në autobus, pastroni këmbët, ndërroni çorapët dhe mbathni atlete të lehta (mund ti leni te autobusi/vetura).

Nëse ndodh: duhet ta ndërprejeni ecjen dhe të ktheheni te pika e nisjes me ndihmën e shkopinjve dhe shokëve; pushoni disa ditë dhe trajtoni këmbët me medikamente

  1. Lëndimi i muskujve dhe ligamenteve

Paramasat: keni kujdes gjatë ecjes; mos bëni hapa të mëdhenj dhe kërcime nga guri në gur; mos shkelni në guralecë që rrokullisen apo ''tehe'' të ngritura si dhe mos e fusni këmbën në qarje.  Gjatë ngjitjes dhe zbritjes duhet ta mësoni zgjedhjen e rrugës për vendosjen e këmbës. Pas një kohe kjo do tu bëhet rutinë dhe do të ecni më sigurt, pa e vrarë mendjen për çdo hap. Gjatë pushimeve të vogla bëni zgjatje të lehta të muskujve.

Nëse ndodh: duhet ta ndërprisni ecjen dhe të ktheheni te pika e nisjes, me ndihmën e shkopinjve dhe guidave; pushoni disa ditë dhe trajtoni lëndimet

  1. Djegia nga dielli apo tharja e lëkurës nga era

Paramasat: ky është problem i madh; nëse ekspozohesh do të digjesh, prandaj mbulohu mirë ose përdor krem/vaj kundër djegies. Përveç bluzës që të mbulon, duhet ti ruash edhe këmbët, ndërsa kokën dhe qafën duhet mbuluar me kapelë ose me shami (shamia është më e përshtatshme). Gjithashtu, nëse ka erë, prapë mbulohu sepse edhe era mund ta dëmtojë lëkurën.

Nëse ndodh: trajtoi djegiet me medikamente, hidratohu mirë dhe nëse është gjendje e keqe, kërko ndihmën e mjekut

  1. Dehidratimi

Paramasat: pi nga pak ujë vazhdimisht; hidratimi duhet të jetë gradual dhe i vazhdueshëm. Kur arrini te burimet e ujit duhet ta konsumoni ujin e vjetër (të ngrohtë) dhe pastaj ta mbushni të riun (të ftohtë). Mos harroni se, dehidratimi është i rrezikshëm dhe u paraprinë shumë problemeve.

Nëse ndodh: ndërpreje ecjen dhe fillo të konsumosh ujë me elektrolite

  1. Lodhja e Tepërt (molisja)

Paramasat: zgjidhe ecjen që të përshtatet; mos merr pjesë në ngjitje të vështira apo ecje të gjata për të cilat nuk ke pajisje dhe përgatitje fizike. Fillo ecjen në shtigje të lehta dhe më vonë provoi ato më të vështirat.

Nëse ndodh: kërko ndihmën e shokëve dhe guidave malor

  1. Hipotermia

Paramasat: përgatitu me veshje të mira dhe mos mbaj rroba të lagura në trup. Gjithnjë planifikoje mirë udhëtimin dhe pajisu me rezerva të nevojshme.

Nëse ndodh: kërko ndihmën e guidave malor

  1. Thumbimi nga Insektet

Paramasat: ka preparate kundër thumbimit nga insektet; kur pushon shiko ku ulesh sepse mund të ketë fole insektesh. Keni kujdes nga grerëzat dhe rriqrat.

Nëse ndodh: zakonisht nuk ka ndonjë pasojë nga thumbimi i insekteve, por nëse jeni alergjik duhet ta njoftoni menjëherë guidën tuaj, si dhe të mbani gjithmonë medikamentin adekuat në çantën tuaj. Nëse është rriqër, kërko ndihmën e mjekut

  1. Kafshimi nga gjarpri

Paramasat: është gjë aq e rrallë sa që nuk ka statistika. Megjithatë, para se të ulesh për të pushuar, hidhi një sy perimetrit rreth teje. Nëse ka gurë të grumbulluar ose gjethe dhe degë, kontrolloi me këmbë.

Nëse ndodh: nuk duhet të na përfshijë paniku. Së pari sigurohu të dish çfarë lloj gjarpri është, dhe pastaj duhet të nisesh menjëherë, me ndihmën e guidave, për në stacionin më të afërt mjekësor. Mos ndërmerr asgjë rreth vendit të kafshuar

  1. Helmimi me Ushqim

Paramasat: merrni ushqime që kanë afat të gjatë përdorimi, fruta të thata, dhe pemë e perime që nuk janë të ndjeshme. Paketojini mirë dhe shmanguni nga mishrat dhe qumështi, sidomos të pa konservuara mirë.

Nëse ndodh: kthehuni menjëherë dhe  kërkoni ndihmën e mjekut

  1. Helmimi me Ujë

Paramasat: mos pi ujë në çdo përroske që gjen. Edhe pse je në bjeshkë, uji mund të përmbajë baktere. Ujin merre vetëm në burime që dalin direkt nga toka e jo në rrjedha të mëposhtme apo puse. Ekzistojnë edhe filtër mobil për ujë.

Nëse ndodh: kthehuni menjëherë dhe  kërkoni ndihmën e mjekut

  1. Rrëzimi

Paramasat: mos u fut në shtigje apo kalime të rrezikshme pa u siguruar me litar. Paralajmëroje guidën për aftësitë tua teknike. Nëse nuk je i sigurt, ndalu menjëherë. Nëse ndihesh në rrezik, mos lëviz shpejt dhe kërko ndihmë për të dalë nga situata. Trajnohu për teknikën e ecjes në pjerrësi të madhe, borë, shkëmbinj dhe akull.

Nëse ndodh: nëse vetëm ke rrëshqitur në barë, rrëpira, borë apo akull, dhe nuk ke pësuar lëndime të mëdha, mos lëviz nga vendi deri sa të vijnë për ty.

  1. Humbja

Paramasat: konsultohu me hartë apo aplikacionin telefonik (nëse s’ke gpx pajisje) për vendin ku do të ecësh. Krijoje idenë e terrenit përafërsisht dhe përpiqu të informohesh paraprakisht. Mbaje numrin e telefonit të guidës kryesor dhe kurrë mos dil para udhëheqësit apo pas guidës përcjellës. Nëse largohesh për ndonjë nevojë mos u largo më shumë se 50 m. Mbaj kontakt me sy dhe mos  merr shkurtesa që të largojnë nga grupi

Nëse ndodh: kurrsesi mos të të kaplojë paniku; shiko sa ke ujë dhe ushqim, lajmëroje guidën me telefon dhe përpiqu ta kujtosh terrenin. Nëse të zë nata, mos lëviz; strehohu, ndize zjarrin dhe prite ndihmën

Vëmendje: Mos ndërmerrni ecje në terrene të panjohura, pa udhëheqjen e Guidave të sprovuar dhe të Licencuar


Foto: Shpëtim Kaliqani - Rugova

image description
Best Seasons:All Seasons

    Maja e Lubotenit 2498 m/lmd

    10

    Detajet e Organizimit: Nisja e Saktë: e Diel, 12.01.2020 / ora 06:00 Vendi i Nisjes: Para parkingut të RTV 21 Lloji i Transportit: Me Autobus Participimi për pjesëmarrje: Ata që rezervojnë në autobus: 10 € (për person) Ata që vijnë…

    0
    Based on 0 Review