Përfaqësim plot dinjitet e krenari i shtetit dhe kombit në Everest
Komunikata e KAP-it (25 maj 2017)
Siç edhe jeni njoftuar nga KOHA (Sponsor medial i Ekspeditës) Ekspedita Zyrtare e Kosovës ne Everest 2017, e organizuar nga KAP-i, ka përfunduar me sukses.
Pas shumë përpjekjesh, ëndrra jonë për përfaqësimin e denjë të Republikës së Kosovës në Everest u realizua; flamujt tanë shtetëror dhe kombëtar valuan krenarë në kulmin e botës, rreth orës 06:00 te datës 22 maj 2017.
Besojmë fuqishëm në përçimin e mesazhit të paqes dhe dinjitetit për qytetarët e Kosovës; jemi të bindur se tani Kosova qëndron krenare në listën e shteteve që e kanë valuar flamurin në Everest. Ndihemi krenarë dhe jemi falënderues për përgjegjësinë që na është dhëne nga institucionet e Kosovës dhe komuniteti i mirëfilltë alpin.
Në kulmin e Botës i kemi ndier përpjekjet dhe sakrificat e vazhdueshme të bashkatdhetarëve tanë për ngritjen e Kosovës; për krijimin dhe konsolidimin e shtetit në baza të shëndosha për gjithë qytetarët e saj. Jemi krenarë që edhe ne e vendosëm një gur në kullën tonë të përbashkët që e quajmë vendlindje; e vendosëm fuqishëm dhe dinjitetshëm, si mesazh se edhe ne jemi këtu; se funksionojmë si komb dhe si shtet; se kemi kulturë sportive dhe jemi të gatshëm për sfida.
Ekspedita që u organizua dhe publikua nga KAP-i, ishte transparente dhe kishte vazhdimësi. Publikoheshin zhvillimet dhe kërkohej përkrahja e vazhdueshme… megjithatë pati pengesa dhe kundërshtime të çuditshme. Sidoqoftë, kjo ngjitje shkon shumë përtej ambicieve individuale, madje kalon në dimension të cilin mund ta kuptojnë njerëzit që e duan Kosovën.
Anëtarët e KAP-it, Nazmi Hasanramaj (udhëheqës i Ekspeditës) dhe Arineta Mula (alpiniste dhe atlete), si gjithmonë e përfunduan me sukses edhe këtë sfidë. E ngjitën këtë maje sipas parametrave alpinë të sigurisë dhe të standardeve morale, duke e vendosur Klubin Alpin Prishtina në grupin e klubeve elitare të Ballkanit.
Përkrahja e institucioneve tona, e sponsorëve dhe miqve tanë, si dhe komentet shumë pozitive në rrjetet sociale, dëshmojnë se alpinistët tanë rrjedhin nga një shoqëri e shëndoshë dhe, jo rastësisht, e bartën këtë barrë.
Arineta Mula dhe Nazmi Hasanramaj po kthehen nga Lugina Khumbo, rrugës nga u ngjitën dy muaj më parë. Janë duke u kthyer në shtëpi.
Sipas komunikimit të fundit me Nazmiun, komuniteti alpin dhe sherpat në Kampin Bazë janë duke u përpjekur që t’i sjellin poshtë trupat e alpinistëve të vdekur dhe të gjymtuar rëndë. Kjo tregon se sa i madh ka qenë rreziku të cilit i hynë, në mënyrë të vetëdijshme dhe me plot vullnet.
Shoqëritë dhe klubet alpine të Kosovës, të cilat e përkrahën Ekspeditën e KAP-it, tani e kanë një derë të hapur për në Everest. E kanë një dorë të sigurt, ofruar nga miq të vërtetë të alpinizmit, dorë që do t’i mbajë dhe përkrahë në tentimet e ardhshme drejt Everestit. Njëkohësisht, alpinistët tanë e vërtetuan përsëri se alpinizmi i mirëfilltë është si një lum i kulluar malor, e që kalon i patrazuar mbi ambiciet, intrigat dhe prapaskenat e krijuara nga njerëz që nuk përkasin në familjen tonë.
Falënderim i përzemërt për sponsorët dhe miqtë e Ekspeditës së Kosovës në Everest 2017: #republikaekosoves #grupikoha #jysk #kolegjiriinvest #marigonaresidence #sabagroup #kerasan #peyman #vitaminka #ebgroup #devolligroup #ujirugova #atlantikgroup #jahacompany #alfaconstruction #ilpostinojimmy #kfc #powerfood #promohome
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.