Kosova pushton Everestin

Kosova pushton Everestin

Alpinistët Nazmi Hasanramaj dhe Arineta Mula, më 22 maj 2017, pushtuan Everestin dhe ngrenë flamujt kombëtar e shtetëror në majën më të lartë të botës.

Ekspedita e parë e ndërmarrë ndonjëherë nga ndonjë klub kosovar, që u përkrah nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kuvendi i Kosovës si dhe disa sponsorë privatë, përfundoi me sukses, pas pothuajse dy muajsh përgatitjesh dhe aklimatizimi rrëzë malit më të lartë në botë.

Me buxhet minimal për një ndërmarrje të këtillë, duke e marrë parasysh se mjetet e premtuara nga MPJ-ja, Kuvendi Komunal i Prishtinës dhe Presidenca, ende nuk u janë transferuar, bënë që ekipi të niset me mjete të huazuara.

Po ky buxhet bëri që ta kontraktonin pakon më të lirë të mundshme për këtë ndërmarrje dhe që majën ta pushtonin me përkrahjen e të vetëm nga një sherpe.

Me këtë arritje, alpinistët kosovarë arritën ta fusin Kosovën në listën e shteteve të botës që e kanë pushtuar Everestin.

Alpinistët pritet të kthehen në Kampin Bazë, prej nga edhe do të na i dërgojnë fotografitë.

Për të pasur një pasqyrë të përafërt të shtegtimit të realizuar në këtë javë të fundit, më poshtë është përshkruar dinamika e pushtimit të Everestit.

Ruta e pushtimit

Nisja nga Kampi Bazë

Shtegu nga Kampi Bazë në lartësinë 5400 m çon fillimisht nga Akullnaja (prej 5500 deri në 6100 metra) e më pas te Kampi 1 (6100 metra)

Nisja për në Akullnajë ka qenë e planifikuar herët në mëngjes për shkak të shmangies së ortekëve dhe të rënies së copave të mëdha të akullit. Tashmë të aklimatizuar, alpinistët do ta kenë kryer këtë shteg për rreth 5 orë. Ekipi ka bujtur një natë në Kampin 1, Luginën e Heshtjes.

Nisja nga Kampi 1

Distanca deri në Kampin 2 prej 6100 m deri në 6400 m

Për shkak të borës së thellë, ortekëve të mundshëm dhe çarjeve të akullit, u është këshilluar ecje më e kujdesshme dhe do të ketë marrë rreth 4-5 orë, meqë ekipi tashmë është aklimatizuar. Edhe këtu ekipi e ka kaluar një natë dhe e kanë marrë shujtën e fundit të mirë, para se të kenë kaluar në shujtat “instant” që i kanë mbajtur të ushqyer deri në sulmin e Everestit. Gjatë qëndrimit në këtë kamp, kanë bërë shëtitje në drejtim të murit Lhotse, për të siguruar sasi më të madhe të oksigjenit në trup.

Nisja nga Kampi 2

Distanca deri në Kampin 3 (Muri Lhotse) prej 6400 m deri në 6800 m

Distanca deri në Kampin 4 (Zona e Vdekjes) prej 6800 m deri në 8000 m

Shtegtimi i zorshëm nëpër lëndinën nga akulli përherë të lidhur me litarë. Pas ecjes njëorëshe, kanë mbërritur te akulli me pjerrtësi të madhe mbuluar me borë.

Me të kaluar Kampin 3, kanë kaluar murin drejt dy seksioneve shkëmbore të murit (Rripi i Verdhë dhe Breshka e Zezë), për të bërë edhe një kalim që i ka shpënë drejt murit të fundit para se të ngriheshin në Kampin 4. Edhe pse pjesë shumë e pjerrtë, nuk është shumë e lartë – mundëson kalimin relativisht të shpejtë drejt tokës së shpirtrave – Zonës së Vdekjes. Këtë distancë do ta kenë kaluar përafërsisht për nja 5-6 orë.

Nisja nga Kampi 4

Distanca deri në Maje prej 8000 m deri në 8845 m

Muri drejt majës është tepër i pjerrtë dhe i errët. Prej alpinistëve është kërkuar që t’i pinë nga, më së paku, tre litra ujë dhe që me vete të bartin edhe nga dy litra lëng të nxehtë. Netët kanë qenë të ftohta dhe të frikshme.

Nisja për në maje është bërë natën, nën përcjelljen e flakadanëve dhe në qetësi absolute apo nëse është dashur të flasin është dashur të pëshpëritin. Shtegtimi në temperaturë shumë të ulët dhe me shumë akull për të arritur deri te Ballkoni ku i kanë ndërruar depozitat e oksigjenit.

Prej aty e kanë kaluar kreshtën për të mbërritur te Maja Jugore (South Summit), 95 metra larg cakut. Edhe nja dy orë shtegtim do t’i çonte te maja e Everestit, por jo pa i kaluar edhe pengesat fundit: Kalimin e Kornizës (Cornice Traverse) shumë të pjerrtë dhe disi të varur në ajër ndërmjet Tibetit dhe Nepalit dhe, Shkallën Hillary (Hillary Step), shkëmbin “që çon në qiell”.

Pas kësaj, u janë afruar edhe dy qosheve të bardha të malit – me të kaluar të dytën, e kanë pushtuar majën më të lartë të botës. Shtegtimi ka mundur t’u ketë marrë deri në 6 orë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

http://www.koha.net/everest-lajme/20580/kosova-pushton-everestin/

LEAVE COMMENT