Ekspedita Everest 2017 – Dita 51 (16.05.2017)
Të dashur miq,
Ekspedita e KAP-it në Everest, me shumë vendosmëri e vullnet po i afrohet cakut. Tani presim që së bashku t’i gëzohemi lajmit se Nazi dhe Arineta e kanë realizuar synimin: pushtimin e majës më të lartë në botë.
Ëndrra e të gjithë neve, që alpinizmin e përjetojmë më shumë sesa një sport ekstrem, po përmbushet falë njerëzve vullnetmirë që besuan në të. Që besuan se edhe ne do të mund t’u bashkoheshim sportistëve, që me shumë krenari ngrehin flamurin e kombit dhe shtetit të tyre aty ku vetëm qielli bën kufirin.
Kur para tre vjetësh vendosëm ta realizonim këtë ekspeditë, me shumë kënaqësi motivuam sa më shumë dashamirës që të na bashkohen në rrugëtimin tonë. Ua hapëm dyert të gjithëve pa dallime, në përjetimin e përbashkët të përgatitjeve për një përpjekjeje të rrallë dhe madhështore.
U ndiem të nderuar që na u bashkuan shumë njerëz me vullnetin e pashoq për të na ndihmuar. Na përkrahën gjatë përgatitjeve fizike në terren e në gym; gjatë ngjitjeve të zorshme dhe më pak të vështira, duke na e ofruar përkrahjen e tyre morale e duke na inkurajuar që të vazhdonim të besonim se ëndrra mund të bëhet realitet.
Jemi nisur nga ndjenja se një ndërmarrje e këtillë e përbashkët, ashtu çfarë synojmë të jenë krejt aktivitetet tona — ka gjithnjë gjasa të realizohet, kur ajo udhëhiqet nga solidariteti, bashkëpunimi e mirëkuptimi ndërmjet miqve, si dhe nga dashuria për natyrën dhe shëndetin e mirë.
Kemi shpresuar që numri i aplinistëve shqiptarë të Kosovës, të cilët do ta mbërrinin Everestin, do të ishte më i madh, me gjithë koston e lartë që paraqet një organizim i këtillë. Fati, e më shumë rrethanat që nuk vareshin nga KAP-i, ndikuan që kësaj radhe të mos shkonim të gjithë që ishim përgatitur për këtë ekspeditë. Por kjo nuk na i humbi shpresat se në një të ardhme jo të largët, do të ketë ende ekspedita në Everest që do të synohen nga KAP-i, dhe dashamirët e miqtë që do të zgjedhin të na bashkohen.
Krenohemi me rrugëtimin e Ekspeditës së KAP-it, që nuk është vetëm i tyre, por i gjithë përkrahësve e miqve pa të cilët, ky do të kishte qenë një rrëfim tjetër.
Faleminderit miq, mirupafshim në ekspeditat e ardhshme!
Fitore Hoxha, Argetim Shabani, Fidan Hasanramaj, Valmir Drenovci, Redon Rezniqi, Gemb Shehu, Arineta Mula, Shpetim Kaliqiani, Granit Neziri, Haki Hasanramaj, Qenrim Sopi, Edin Nishliu, Brikena Rexhepi, Faton Bajraktari, Hajdin Kastrioti, Hektor Kastrioti, Arber Krasniqi, Ilir Gaxha, Basri Ejupi, Trim Xhota, Arben Llapashtica, Nazmi Hasanramaj, Dita Tahiri, Floriana Bajrami, Blerta Ahmeti, Valon Berisha, Labinot Salihu, Arton Berisha, Ardiana Kabashi, Malsor Kusari, Edib Smaka, Albert Durmishi, Flaka Surroi, Kristian Gashi, Astrit Rrexhaj, Amir Azemi, Artan Bajrami