Shiko thellë në natyrë dhe do të kuptosh gjithçka më mirë
Gjithpërfshirja Sociale Përmes Aktiviteteve në Natyrë" është projekt i cili e ka krijuar platformën e edukimit në natyrë dhe konceptin gjithëpërfshirës të të gjitha komuniteteve pa dallim. Projekti ka si qëllim gjithashtu zhvillimin e një platforme afatgjatë për edukimin në natyrë në Kosovë, duke hartuar edhe një manual për trajner të cilët punojnë me të rinj.
Projekti synon të promovojë aktivitete në natyrë të përmirësojnë të kuptuarit e diversitetit kulturor midis të rinjve në Kosovë dhe të angazhojnë studentë me prejardhje të ndryshme etnike dhe kulturore për të marrë pjesë në aktivitete së bashku.
Në këtë trajnim janë të përfshirë 18 mësimdhënës nga nëntë komuna të Kosovës (Komunat Dragash, Fushë Kosovë, Mitrovica Veriore, Prizren, Kamenicë, Mitrovica Jugore, Istog, Lipjan dhe Mamushë), të cilët janë aftësuar nga trajnerë të licencuar për fushat specifike të sporteve në natyrë (bjeshkatari, orientim, alpinizëm, skijim dhe ndihmën e parë); trajnime këto të cilat rritën njohuritë dhe kompetencat e tyre në organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të tilla në komunat e tyre.
Stafi multietnik i angazhuar në këtë projekt vazhdon të jetë profesional, kompetent dhe i përgjegjshëm për rëndësinë dhe ndikimin e kësaj platforme në themelimin e traditës dhe programit për edukimin e nxënësve në natyrë. Përkushtimi i trajnerëve gjatë implementimit të kampeve dhe aktiviteteve të shumta në 2019 dhe 2020, është faktor motivues dhe rrugë e sigurt për zhvillimin dhe vazhdimin e mëtejshëm të aktiviteteve.
Projekti është i mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë dhe u implementua nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në bashkëpunim me Klubin Alpin Prishtina (KAP).